18 Nëntor – Dita Europiane “Për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Shfrytëzimi dhe Abuzimi Seksual“

 

Për të shënuar këtë ditë, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në bashkëpunim me Terres des Hommes dhe me mbështetjen e USAID, organizoi Konferencën me titull “Mos ki Frikë, Thyej Heshtjen“.

Konferenca u organizua me pjesmarrjen e profesionistëve që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, si dhe fëmijëve të grup moshave të ndryshme. Të ftuar ishin Zv. Ministrja e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Znj. Bardhylka Kospiri, Zv.Ministrja e Ministrisë së Arsimit dhe e Sportit Znj. Nora Malaj, Znj. Zhaneta Shatri, USAID, Znj. Jezerca Tigani nga organizata Terre des Hommes, Znj. Etleva Bisha nga Shërbimi Social Shtetëror, si dhe persona kyç në institucionet qëndrore dhe shoqëria civile që punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.

Në fjalën e saj, Kryetarja e Agjencise, Znj. Ina Verzivolli, theksoi se abuzimi seksual me fëmijët është një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të fëmijëve. Kjo është një temë e vështirë për tu trajtuar sepse ka të bëjë me një nga format më të rënda të abuzimit, që lë gjurmë në jetën e fëmijëve. E megjithatë është një çështje me shumë rëndësi, që kërkon që ne të Thyejme Heshtjen, dhe kërkon vëmendjen e të gjithë institucioneve por edhe të shoqërisë.

Gjatë aktivitetit u prezantua studimi “Mbrojtja nga Abuzimi Seksual i Fëmijëve në Rrethin e Besimit në Shqipëri“. Ky studim u përgjigjet nevojave të institucioneve për të hedhur dritë mbi një fenomen i cili ka vëmendjen e tyre dhe kërkon ndërhyrje dhe politika të veçanta. Ai u krye në kuadër të përpjekjeve për të forcuar sistemin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.
Konferenca vijoi me një aktivitet të dytë të përshtatur për fëmijët me qëllim sensibilizimin e tyre për denoncimin e rasteve të abuzimit seksual. Gjatë eventit u lançua videoja e Këshillit të Europës, përgatitur në kuadër të 18 Nëntorit.