Aktiviteti “Dita ime, të drejtat e mia” me rastin e 1 Qershorit

Tiranë, 1 Qershor 2014- Në kuadër të festës së 1 Qershorit, festës ndërkombëtare të fëmijëve Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve organizuan aktivitetin “Dita ime, të drejtat e mia” kushtuar kësaj dite. Ky aktivitet u zhvillua në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte të dëgjohej zëri i fëmijëve, dhe pjesëmarrja e tyre të ishte domethënëse. Aktiviteti kishte synimin të argëtonte, dhe të jepte mesazhe mbi të drejtat e fëmijeve. Në këtë ditë, fëmijët ishin në qendër të këtij eventi, ku vëmendja e prindërve, shtetit dhe e gjithë shoqërisë iu drejtua atyre.

Pjesëmarrës të qeverisë të cilët iu bashkuan këtij aktiviteti ishin Z. Erion Veliaj, Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Znj. Elona Gjebrea, zv/Ministre e Brendshme dhe Kordinatore Kombëtare për Luftën Kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore, rreth 200 fëmijë dhe përfaqësues nga organizata të ndryshme që kontribuojnë në fushën e mbrojtjes dhe të të drejtave të fëmijëve, si Terre des hommes, Save the Children, World Vision, BKTF, SHKEJ, Qendra Tranzitore e Emergjencave etj. përfaqësues institucionesh, fëmijë, prindër dhe familjarë.

Në qendër të aktivitetit u zhvillua një bashkëbisedim, mes fëmijëve dhe përfaqësuesve të qeverisë shqiptare duke respektuar kështu të drejtën e fëmijeve për t’u dëgjuar dhe ndarë mendimet e tyre lidhur me çështjet që i shqetësojnë. Ky bashkëbisedim ishte në vijimësi të takimit me fëmijët, zhvilluar më 4 nëntor 2013 në ambjentet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Përmes dialogut të drejtëpërdrejtë si dhe bashkëbisedimit të ngrohtë fëmijët shprehën dëshirat, shqetësimet dhe problemet e tyre.

Një nga çështjet kryesore që u ngritën në fushën e arsimit ishte braktisja shkollore për arsye ekonomike që pengon shumë fëmijë të shkojnë në shkollë, apo të blejnë libra për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Ministri Veliaj u shpreh se do të jepen para shtesë për të gjitha ato familje me ndihmë ekonomike, të cilat çojnë fëmijët në shkolla, në arsimin e detyruar dhe vaksinojnë fëmijët. Ai u shpreh se është shtyrë mosha e daljes nga shtëpitë e fëmijës në 18 vjeç, dhe do të sigurohet që fëmijët do të jenë të aftë të dalin nga këto shtëpi dhe të përballen vetë me jetën. Në lidhje me çështjen e fëmijëve në situatë rruge, do të punohet për largimin nga rruga dhe integrimin e tyre.

Një tjetër çështje që ende vazhdon të jetë shqetësuese, janë edhe kurset private të detyrueshme që zhvillojnë mësuesit, pavarësisht urdhërit të dalë nga Ministria e Arsimit. Ministri Veliaj ftoi fëmijët të denoncojnë raste të tilla pranë Agjencisë Shtetërore për Mbojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.

Fëmijët shprehën shqetësimin për mos angazhimin e policisë gjatë rasteve të shkeljes së të drejtave të fëmijëve. Zv Ministrja Gjebrea u shpreh se do të ndjekë personalisht rastet e tilla të referuara nga fëmijët dhe ftoi fëmijët tu drejtohen policisë së shtetit në raste nevoje. Gjithashtu u shpreh gadishmëria dhe angazhimi i policisë në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna.

Çështje të tjera që u adresuan përfshijnë punën e fëmijëve, mungesën e njësive për mbrojtjen e fëmijëve nëpër disa njësi vendore të Shqipërisë, modelin e papërshtatshëm që disa politikanë transmetojnë në parlament, të drejtën për argëtim dhe pushime të fëmijëve në institucione rezidenciale, etj.

Aktiviteti vijoi me teatrin plastik nga Bordi Konsultues i Fëmijeve në kuadër të projektit “MARIO – Mbroni Fëmijet në Lëvizje”, implementuar nga Terre des hommes dhe Save the Children. Ekspozita me punime krijuese të fëmijëve, bashkoi fëmijë të talentuar nga organizata, qendra dhe qytete të ndryshme ku promovuan aftësitë artistike të tyre.

Gama e aktivitetit të organizuar me këtë rast u bë edhe më e pasur me e video mesazhet e përgatitura nga vetë fëmijët me tematika të caktuara në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Video mesazhet u trasmetuan në një ekran të madh Led.

Grupet e animatorëve organizuan lojra me fëmijët pjesëmarrës në aktivitet. Lojra argëtuese dhe të shkurtra me objektiv promovimin e të drejtave të fëmijëve, bashkëpunimin mes fëmijëve, etj.

Një baner prej bezeje rreth 20 metra i gjatë ku të gjithë fëmijët shkruajtën mesazhe me tematika të ndryshme. Ata lanë gjurmët e tyre në këtë baner, i cili në fund të aktivitetit u vendos në ambjentet e muzeut. Gjithashtu në fund të aktivitetit u shpërndanë materialet informuese dhe nene të Konventes për të Drejtat e Fëmijëve me rastin e 25 vjetorit në formën e mesazheve të ideuara nga vetë fëmijët.

Si u raportua në media:

A1 Report (video)

Shqiptarja.com

fotogaleri