Aktivitete të organizuara në ditët e Internetit të Sigurt për Fëmijët

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (ASHMDF)

Në kuadër të ditëve të Internetit të Sigurt për Fëmijë u  zhvillua një takim me prindërit dhe fëmijët në shkollën “Muharrem Dollaku”, Shijak , ku ishin të pranishëm kryetarja e Agjencisë Znj. Ina Verzivolli, punonjësja e Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve, prindër, nxënës etj. Në këtë takim u diskutua mbi rreziqet që mund të sjelli përdorimi i internetit. Gjatë takimit u dhanë këshilla dhe informacione për pjesëmarrësit me qëllim ndërgjegjësimin e  fëmijëve lidhur me rreziqet potenciale gjatë përdorimit të internetit, dhe se si ata ti evitojnë rreziqet para se ato të bëhen probleme serioze.

Në emisionin “Ditë e re”, Ora News  kryetarja e ASHMDF foli mbi rreziqet që mund të vijnë nga përdorimi i internetit si edhe disa nga mënyrat që  prindërit mund ti përdorin se si t’i evitojnë apo të ballafaqohen me rreziqet që mund tu kanosen fëmijëve të tyre.

ASHMDF bashkë me Ministren e Inovacionit dhe Administratës Publike dhe në bashkëpunim me Word Vision, ishin pjesë e forumit kombëtar ‘Interneti që duam“ ku diskutuan bashkë me fëmijët se si ta bëjnë internetin më të sigurt për ta. Gjatë forumit, u paraqit edhe një draft-rezolutë me këshilla të fëmijëve dhe të prindërve se si duhet të jetë interneti që ata duan në Shqipëri.

 

-Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve (NJMF)

Bashkia Bajrram Curri

Një sërë takimesh NJMF janë organizuar me: përfaqësues nga  DAR/ZA, psikologen e shkollave, drejtorët e shkollave” Beslidhja e Malsisë”, dhe “Konferenca e Bujanit”,  takime të cilat konsistuan në bashkërendimin e punës dhe zhvillimin e aktiviteteve ndërgjegjesuese në kuadër të këtyre ditëve. Aktivitete të tilla u organizuan në të gjitha shkollat  të cilat u zhvilluan dhe me mbështetjen e mësuesve të informatikës, psikologëve dhe punonjësve të shkollave ku një rol të madh luajtën dhe mësuesit e prindërit. Gjatë takimeve të organizuara shihej qartë domosdoshmëria e organizimit të këtyre aktiviteteve. Mesazhi që u percoll në këto takime u mirëprit dhe u ndoq me mjaft interes nga pjesmarrësit. Këto aktivitete do të jenë në vazhdimësi në shkolla dhe komunitet.

Komuna Qendër Vlorë

NJMF-ja e kësaj komune së bashku me mësuesit që japin orët e mësimit të Teknologjisë së Informacionit kanë zhvilluar orë diskutimi për Internetin e Sigurt me klasat e shkollave 9-vjeçare. Gjithashtu, janë shpërndarë disa materiale këshilluese në lidhje me temën, të cilat janë publikuar në këndin e informacionit të çdo shkolle. Aktivitetet po zhvillohen në vazhdimësi sipas koordinimit me mësuesit e orëve të lira dhe të lëndës së sipërpërmendur.

Komuna Lunik

Në kuadër  të ditëve të internetit të sigurt komuna Lunik ka zhvilluar një aktivitet me nxënesit e shkollës “Isak Alla”  mbi temën e internetit të sigurt, për të diskutuar në lidhje  me anët negative dhe pozitive që ka interneti. Gjithashtu, nxënësit janë këshilluar në lidhje me përdorimin e sigurt të internetit.

Njësia  bashkiake Nr 8, Tiranë

Në kuadër të këtyre ditëve kjo njësi ka realizuar takime me psikologët e të gjitha shkollave 9 vjeçare dhe të mesme së bashku me nxënësit e njësisë bashkiake nr . 8 . Pati një vëmendje aktive nga nxënësit në lidhje me këtë temë. Gjithashtu, janë shpërndarë materiale mbi internetin e sigurt të gjithë nxënësve për të qënë të vëmendshëm në mënyrën se sa dhe si e përdorin internetin apo të dhënat e tyre personale etj.

Njësia bashkiake Nr. 3, Tiranë

Njësia e Mbrojtjes se Fëmijëve ka  zhvilluar aktivitete ndërgjegjësimi për fëmijët, shkollat, komunitetin,  bazuar në materialin e shpërndarë nga Agjencia mbi “Internetit e Sigurt për Fëmijët. Gjithashtu janë realizuar takime me psikologët e shkollave dhe të kopshteve duke i dhënë  informacione mbi këtë temë.  Këto aktivitete do të jenë në vazhdimësi.

Bashkia Vlorë

Në kuadër të kësaj dite NJMF-ja së bashku me psikologen shkollore kanë ngjitur në muret e shkollës “postera” për të ndërgjegjësuar fëmijët për mënyrën se si ata duhet ta përdorin internetin.

Bashkia Rrëshen

Punonjësja e NJMF-së së Bashkisë Rrëshen ka organizuar disa takime në shkollat 9-vjeçare ku dhe janë shpërndarë materiale në lidhje me internetin e sigurt. Gjithashtu, janë bërë takime dhe me psikologet e këtyre shkollave në formë bashkëbisedimi. Me interes ishte edhe takimi me një klasë të 10-të në gjimnazin e qytetit ku këto nxënës janë mjaft aktivë në internet. Pasi u  shpërndanë materialet u diskutua mbi anët pozitive dhe negative të inernetit si dhe për pasojat që mund të vijnë nga përdorimi i pasigurt i internetit.

Komuna Paper

Në këtë komunë janë zhvilluar disa aktivitete në kuadër të  internetit të  sigurt. Një takim me grupin e të  rinjve bashkëmoshatarë dhe qeverinë e nxënësve ku u nxorrën disa rekomandime në lidhje me internetin e sigurt, gjithashtu u vendosen postera me këtë  temë në shkollën 9-vjeçare dhe të mesme. Përfaqësues  të  të rinjve të shkollës morën pjesë në takimin e zhvilluar me temë ” Interneti që dua” ku u dhanë rekomandimet e nxjerra  nga grupi. Gjithashtu, u zhvillua një takim me pjesmarrje të  gjerë  me fëmijët e  komunës Paper  dhe  Shushicë  në  teatrin  Skampa Elbasan, ku fëmijët vunë në skenë një  dramë me  temë  mbi internetin  e sigurt.

Komuna Ndroq

Për sa i përket aktiviteteve në lidhje me internetin e sigurt komuna Ndroq ka organizuar takime në shkollën e mesme të përgjithshme të Komunës Ndroq “Sadi Nuri”, si dhe në shkollën 9-vjecare “Bashkim Berisha”. Në këtë takim ishin prezent nxënës të shkollave, mësues, drejtorët e shkollave, përfaqëues të komunës ku u diskutua në lidhje me çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me informacionin që të rinjtë përdorues apo jo përdorues të internetit, duhet të kenë parasysh gjatë kohës që ata kanë akses në të. U dhanë shembuj konkretë si edhe diskutime në lidhje me kujdesin që ata duhet të kenë.Gjithashtu, është realizuar  nje anketim i shkurtër në lidhje me përdorimin ose jo të  internetit.

Bashkia Çorovodë

Njësia e Mbrojtjes së Fëmijës pranë Bashkisë Çorovodë zhvilloi aktivitetin për internetin e sigurt. Aktiviteti u organizua me nxënës  të dy shkollave 9 vjeçare të qytetit. Morën pjesë prindër, mësues dhe psikologia e shkollës. Aktiviteti ia arriti qëllimit për informimin e fëmijëve se si mund të qëndrojnë të sigurt në internet. Prindërit  morën informacion se si mund të kontrollojnë fëmijët e tyre pa i dëmtuar ata, pa i larguar nga kjo teknologji. Mësuesit dhe prindërit shprehën konsideratën e tyre lidhur me këtë aktivitet dhe u treguan të gatshëm për të ndikuar te fëmijët për rrezikun që mund të sjellë përdorimi i tepërt  i internetit dhe celularit.

Komuna Shushicë

Në kuadër të kësaj dite NJMF-ja bashkë me grupin Edukatorët Bashkmoshatar dhe Word Vision realizuan në Teatrin Skampa dramën me temë “Interneti që duam”. Aktiviteti u ndoq nga 200 fëmijë, prindër, bashkia, DAR etj. Gjithashtu, NJMF e komunës Shushicë ka hapur një faqe online nëse fëmijët do kenë shqetesime kur lundrojnë në internet ku do kenë një mundësi ku të drejtohen.

Komuna Zall-Herr

Në kuadër të aktivitetit për Diten e Internetit të Sigurt për Fëmijët, janë zhvilluar dy ditë prezantim në Shkollën “Qemal Ataturk” Zall-Herr, në ciklin 9-vjeçar dhe atë të mesëm. U shpërndanë materiale dhe u referua permbajtja, si dhe bashkëbisedim dhe diskutime mbi internetin e sigurt.