Bashkëpunimi për  menaxhimin e rasteve për fëmijët në situatë rruge

Për të vijuar një proces sa  më efikas për mbrojtjen e  fëmijëve në situatë rruge, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në bashkëpunim me organizatën Terre des homes dhe  ARSIS,  organizuan më datë  25. 02. 2015 në ambientet e MMSR ,  një workshop me skuadrat e terrenit  dhe grupet e menaxhimit, që prej  10 muajsh janë përfshirë  në punën për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge.

Workshopi me temë ”Procesi i menaxhimit të Rastit në punën e punonjësit të mbrojtjes së fëmijëve” mblodhi së bashku në tryeza bashkëpunimi punonjës nga MMSR, Agjencia e Fëmijëve, Shërbimi Social Shtetëror dhe Rajonal, NJMF-të e 11 njësive bashkiake të Tiranës, punonjës socialë të organizatave ARSIS, FBSH, Të ndryshëm dhe të Barabartë, SHKEJ dhe QDFR.

Kryetarja e ASHMDF, Znj.Ina Verzivolli, përshëndeti NJMF-të   për  angazhimin dhe punën  e tyre në mbështetje të fëmijëve dhe familjeve në situatë rruge dhe theksoi rëndësinë  bashkëpunimit të  tyre për  menaxhimin e rasteve me Bërthamën koordinuese, e cila do të adresojë problematikat për zgjidhje pranë  institucioneve përkatëse. Roli dhe  shërbimet që ofrohen nga SHSSH për rastet në rrugën e menaxhimit u prezantuan nga  Znj.Lida Leskaj  N/Drejtore e SHSSH.

Diskutimet për rastet më të vështira u trajtuan gjatë punës në grupe, ku u  improvizuan  Tryeza Teknike Multidisiplinare me rolet përkatëse  për menaxhimin e rasteve të familjeve  dhe fëmijëve në situatë rruge. Workshopi u moderua nga ekspertët e organizatave ARSIS dhe  Terre des hommes. Për t’u ardhur në ndihmë familjeve që janë në rrugën e menaxhimit si dhe  fëmijëve që ndodhen  në situatë të lartë rreziku,  u prezantuan projektet mbështetëse, me paketa bazë   të ofruara nga organizata Terre des hommes dhe ARSIS.

Një tjetër projekt  i ofruar nga Terre des hommes, që ka qëllim  mbështetjen e familjeve me vështërsi  ekonomike, është  dhënia e një granti për  zhvillimin e një biznesi, që do t’i ndihmojë familjet për t’u fuqizuar.