DEKLARATË PËR SHTYP 

20 Nëntori është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.  Kjo ditë u shpall për të inkurajuar të gjitha vendet për të institucionalizuar një ditë për fëmijët dhe për të nxitur shtetet  për të promovuar mirëqenien e fëmijëve. 20 Nëntori është gjithashtu dita kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Konventën “Për të Drejtat e Fëmijës” në 1989.

Për të shënuar këtë ditë të rëndësishme, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve do të organizojnë Javën e të Drejtave të Fëmijëve, nga data 14 deri më 20 nëntor, e mbushur me aktivitete që do të realizohen në të gjithë vendin. Kjo Javë ka si qëllim të rrisi ndërgjegjësimin mbi çështje të të drejtave të fëmijëve nëpërmjet promovimit të të drejtave të fëmijëve dhe bashkëpunimin me të gjithë aktorët.

Thirrjes për javën e të drejtave i janë bashkuar edhe një sërë organizatash si: Alo 116 111, Amarodrom, Arsis, Caritas, CRCA, Fëmijët Sot, Meridia, OSBE, Save the Children, Sos Fshatrat e Fëmijëve, Shkej, Terre des Hommes, World Vision etj.

Sot ndjehemi shumë më të angazhuar, për qëllime të cilat do të përmirësojnë jetën e fëmijëve në të gjithë vendin. Megjithëse shumë hapa janë bërë në vendin tonë për të zbatuar të drejtat e fëmijëve ashtu siç janë vendosur në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve, mbetet ende një rrugë e gjatë përpara deri sa të gjithë fëmijët të gëzojnë të drejta të plota.

Forcimi i sistemit të mbrojtjes së fëmijëve është një nga prioritetet tona, siç është përcaktuar edhe në Agjendën Kombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve 2016-2020 dhe Projektligjin e ri “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve”.

Projektligji “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve”, i cili po diskutohet aktualisht në Parlament, përcakton në mënyrë të qartë të drejtat që kanë fëmijët dhe parashikon mënyrën për realizimin e këtyre të drejtave. Kjo inisiativë ligjore, synon të shkojë përtej vetëm deklarimit të të drejtave të fëmijëve, por synon të përcaktojë në mënyrë të qartë mekanizmat dhe institucionet përgjegjëse për garantimin e tyre. Për herë të parë në projektligj përcaktohen masa të veçanta mbrojtjeje për fëmijët, të cilët identifikohen  në situata të pasigurta jetese, për shkak të dhunës, abuzimit, neglizhimit apo shfrytezimit.

Ligji synon ngritjen e shërbimeve që do tu vijnë në ndihmë fëmijëve dhe familjeve, duke përfshirë masa për aftësim prindëror. Ai mbështetet në standarte evropiane, për të garantuar mbrojtjen efikase të  fëmijës në çdo situatë dhunë pavarësisht mjedisit se ku ndodh ajo.

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, me mbështetjen e UNICEF, dhe në konsultim me të gjithë aktorët, po punojë  për hartimin e një plani veprimi kombëtar me objektiva dhe aktivitete të qarta për 5 vjeçarin e ardhshëm, që do të  shtjellojnë detyrimet e institucioneve për zbatimin e ligjit. Ky plan veprimi quhet Agjenda Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2016-2020. Vizion i Agjendës është krijimi i një mjedisi të favorshëm për zhvillimin e shëndetshëm fizik dhe psikosocial të fëmijëve, përfshirjen sociale dhe pjesëmarrjen e tyre në të gjitha proceset, bazuar në interesin më të lartë të fëmijës. Nëpërmjet zbatimit të saj, synohet fuqizimi i infrastrukturës për monitorimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, eliminimi i të gjitha formave të dhunës ndaj fëmijëve dhe ofrimi i shërbimeve cilësore – miqësore ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve.

Shtyllat strategjike të kësaj Agjende janë: (i) Mirëqeverisja për zbatimin e të drejtave të  fëmijëve; (ii) Eliminimi i të gjitha formave të dhunës ndaj fëmijëve; dhe (iii) Sisteme dhe shërbime miqësore ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve: në fushat e zhvillimit dhe arsimimit, drejtësisë, shëndetit dhe ushqyerjes, mbrojtjes sociale.

Politikat e mësipërme janë ambicioze por edhe shumë të nevojshme. Për këtë qëllim, kërkohet bashkëpunimi i të gjitha aktorëve në nivel qendor e vendor, institucione e shoqëri civile. Të gjitha këto politika të reja synojnë që jo vetëm të përmirësojnë jetesën e fëmijëve,  por gjithashtu t`i hapin rrugë dhe të mbështesin “Paktin e Mirëqenies Sociale” me të gjithë qytetarët dhe sidomos me ata qytetarë që janë më në nevojë. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka  iniciuar një debat publik për ngritjen e një pakti të madh social me komunitetet e shtresave të caktuara, që kanë nevojë për mbështetjen e shtetit, për mbrojtjen nga varfëria apo përjashtimi social.

                                                            ***