Agjencia Shtetërore për tё Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës është person juridik në varësi të ministrisë që bashkërendon punën për çështjet e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës, financuar nga fondet e Buxhetit të Shtetit dhe burime të tjera, sipas ligjit.

Detyra e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës në lidhje me ngritjen dhe mirëfunksionimin e sistemit të integruar të mbrojtjes së fëmijës
  1. Agjencia është përgjegjëse për koordinimin dhe organizimin e sistemit të integruar të mbrojtjes së fëmijës, në zbatim të politikave kombëtare për mbrojtjen e fëmijës, duke përfshirë zbatimin e ndërhyrjeve dhe marrjen e masave për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijës nga abuzimi, neglizhimi, keqtrajtimi dhe dhuna.
  2. Agjencia ka për detyrë t’u ofrojё mbështetje të drejtpërdrejtё strukturave të mbrojtjes së fëmijës në nivel vendor, në lidhje me:
  • koordinimin me agjenci të tjera shtetërore dhe private;
  • zhvillimin e aktiviteteve profesionale, në lidhje me mbrojtjen e fëmijës;
  • asistencën për menaxhimin dhe zgjidhjen e rasteve të caktuara të fëmijës në nevojё për mbrojtje, si edhe supervizimin, në raste të caktuara; bashkërendim të punës për raste ndёrshtetërore të mbrojtjes së fëmijës;
  • këshillimin e agjencive shtetërore qendrore dhe vendore, si dhe të punonjësve që punojnë në institucione publike e private për ndihmën e fëmijës në rrezik apo në nevojë për mbrojtje, për të cilën agjencia nxjerr një urdhër të brendshëm për mënyrën e funksionimit.
  1. Agjencia ka për detyrë gjithashtu:
  • të mbledhë të dhëna në nivel kombëtar për mbrojtjen e fëmijës dhe të menaxhojë
  • regjistrin elektronik kombëtar për rastet e fëmijës në nevojë për mbrojtje;
  • të analizojë nevojat për ndërhyrje specifike në fushën e mbrojtjes së fëmijës dhe të mbështetjes së familjeve me një fokus të veçantë te parandalimi;
  • të kontrollojë cilësinë e shërbimit të strukturave të mbrojtjes;
  • të koordinojë dhe të organizojë trajnime të edukimit vazhdues për punonjësit e mbrojtjes së fëmijës dhe profesionistëve të tjerë që punojnë me fëmijët në nevojë për mbrojtje;
  • në zbatim të nenit 11, pika 6, e këtij ligji, të bashkëpunojë me autoritetet përgjegjëse për realizimin e procesit të mbrojtjes dhe marrjes së masave për menaxhimin e rasteve të fëmijës në situatë migrimi, në situatë ndërkufitare dhe në nevojë për mbrojtje jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të fëmijës së pashoqëruar.
Detyrat e agjencisë në lidhje me bashkërendimin e punës me ministrin përgjegjës për çështjet e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës
  1. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës i paraqet ministrit që bashkërendon punën për çështjet e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës propozime për politika dhe ndryshime ligjore e nënligjore në fushën e të drejtave dhe të mbrojtjes së fëmijës.
  1. Përgatit dhe i propozon ministrit që bashkërendon punën për çështjet e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës udhëzime metodologjike për strukturat e mbrojtjes së fëmijës në organet e vetëqeverisjes vendore dhe koordinimin ndërsektorial në fushën e mbrojtjes së fëmijës.
  2. Bashkërendon punën për përgatitjen e materialeve dhe organizimin e mbledhjeve të Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, në bashkëpunim me strukturën përgjegjëse të ministrit që bashkërendon punën për çështjet e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës.
  3. I paraqet ministrit që bashkërendon punën për çështjet e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës, brenda tremujorit të parë të çdo viti, raportin e vitit paraardhës për veprimtarinë e realizuar, për ecurinë e punës, problemet e hasura dhe për rrugët për kapërcimin e tyre, në fushën e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës.
Detyrat e agjencisë në lidhje me politikat dhe veprimtaritë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës
  1. Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës ka për detyrë të bashkëpunojë me strukturat shtetërore përgjegjëse në procesin e hartimit të propozimeve e të zbatimit të politikave integruese në Bashkimin Europian, në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijës.
  2. Ndërton dhe realizon vetë apo në bashkëpunim me institucione të tjera veprimtari për edukimin, trajnimin, ndërgjegjësimin e qytetarëve, si dhe të punonjësve e të funksionarëve të administratës publike e të sistemit të drejtësisë.
  3. Koordinon ose realizon fushata ndërgjegjësimi dhe aktivitete konkrete për promovimin e pjesëmarrjes së fëmijës në të gjitha fushat.
  4. Inicion dhe zbaton projekte pilot, në bashkëpunim me shoqërinë civile, dhe u jep mbështetje teknike organizatave jofitimprurëse, që punojnë në fushën e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës.
  5. Organizon dhe bashkërendon kërkime shkencore në fushën e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës.
  6. Realizon mbledhjen, analizën e të dhënave dhe raportimin e zbatimit të dokumenteve strategjike me fokus fëmijët, si dhe të situatës së të drejtave të fëmijës.
  7. Zhvillon dhe mirëmban një sistem informacioni me fokus institucionet e specializuara për fëmijët, organizatat jofitimprurëse që punojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijës dhe të dhëna të tjera, që lidhen me mbrojtjen e fëmijës.
  8. Bashkërendon veprimtarinë e saj me agjencitë homologe në vendet e tjera.