Dokumenti politik për mbrojtjen e fëmijëve

Krijimi i një bote ku fëmijët mund të realizojnë potencialin e tyre më të madh të zhvillimit kërkon jo vetëm mbrojtjen e tyre nga dhuna dhe abuzimi, por kërkon së pari ndërmarrjen e aksioneve konkrete institucionale dhe jo vetëm, për të garantuar të drejtat themelore të çdo fëmije. Ndaj në datën 16 dhjetor 2015 u prezantua dokumenti “E ardhmja e Sistemit të Integruar të Mbrojtjes së Fëmijëve në Shqipëri”, i cili paraqet një përmbledhje të hapave që duhen ndërmarrë për të ndërtuar një sistem më të avancuar dhe bashkëkohor të mbrojtjes së fëmijëve. Të investosh sot në parandalimin e dhunës është një investim strategjik për shtetin, pasi studimet kanë treguar se të parandalosh sot, do të thotë të kursesh në shërbime apo institucione që do të duhen për të kuruar pasojat nesër.