Ekspozita e fëmijëve me rastin e 20 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve

 

Agjencia e Fëmijëve dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në bashkëpunim me SOS Fshatrat e Fëmijëve, në kuadër të 20 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, organizoi një ekspozitë me vizatimet e fëmijëve me temë “Kujdesu për mua”.

Ekspozita kishte si qëllim kryesor sensibilizimin për nxitjen e zhvillimit të formave të ndryshme të kujdesit alternativ për fëmijët pa kujdes prindëror, nëpërmjet promovimit të kujdesit me bazë familjen.

Punimet e fëmijëve u vendosën në ambjentet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ku u vizituan nga fëmijë, të rinj, institucione publike dhe organizata të shoqërisë civile. Vetë fëmijët ndanë me vizitorët ndjesitë dhe mendimet e tyre në lidhje me pikturat të punuara nga vetë ata.

Takimi u përshëndet nga Zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Znj. Bardhylka Kospiri, kryetarja e Agjencisë Znj. Ina Verzivolli dhe Drejtoresha e SOS Fshatrat e Fëmijëve, Znj. Teuta Shkenza.