Fëmijët në situatë rruge: Fillon puna në Elbasan

Më 23 shkurt 2015, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan organizoi takimin ndërinstitucional për zbatimin  e Planit të Veprimit “Ndihmë për femijët  dhe familjet në situatë rruge” në Bashkinë Elbasan.

Zbatimi i  këtij plani, si një iniciativë e përbashkët e  Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme  mblodhi në takim drejtuesit në nivel vendor nga institucionet e policisë, shëndetësisë, Zyrës së Punës si dhe shumë aktorë nga shoqëria civile që punojnë për mbrojtjen e fëmijëve.

Kryetari i Bashkisë,  Z. Qazim Sejdini,  duke  folur për rolin e Bashkisë Elbasan në mbrojtjen  dhe ofrimin e shërbimeve për fëmijet në situatë rruge, theksoi  që puna duhet të fillojë me parandalimin e fenomenit e deri në zhdukjen e tij. Bashkia Elbasan ka  një eksperiencë shumë të mirë bashkëpunimi  mes aktorëve, por mbrojtja  e fëmijëve mbetet  një proces i vështirë dhe mjaft i ndjeshëm,  që kërkon bashkëpunimin në radhë të parë të  familjeve dhe  aktorëve të tjerë e të organizatave partnere.

Kryetarja e Agjencisë së Fëmijëve, Znj. Ina Verzivolli prezantoi rolin koordinues  në nivel kombëtar të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve   për zbatimin e Planit të Veprimit për fëmijët në situatë rruge, duke i vënë theksin në përgjegjesinë që duhet të ndërrmarrë pushteti lokal,  në ngritjen e mekanizmit koordinues ndërinstitucional, ku roli i  Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve  mbetet rol kyc.

Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan, siguroi mbështetjen dhe angazhimin e  strukturave të policisë së qarkut Elbasan në rastet e mbrojtjes  dhe  ndërhyrjeve për fëmijët e familjet në situatë rruge.

Më pas aktorët  në nivel teknik,  nga institucionet, organizatat dhe profesionistët treguan angazhimin e tyre  të përbashkët, duke u përfshirë në diskutime për planin e mbrojtjes dhe ngritjen e mekanizmit koordinues për fëmijët  në situatë rruge në këtë bashki.