Fëmijët u flasin parlamentarëve për të drejtat e tyre, në prag të 1 Qershorit

28 Maj 2014 – Nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, Z. Ilir Meta, Komisioni për Punën , Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi një seancë dëgjimore me fëmijë, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme në mbështetje të të drejtave të fëmijëve në prag të 1 Qershorit, festës ndërkombëtare të fëmijëve.

Qëllimi i kësaj seance dëgjimore publike, i sugjeruar nga Agjencia Shtetërore per Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, ishte dëgjimi i zërit të fëmijëve për shqetësimet e tyre në lidhje me garantimin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe pjesëmarrjes së tyre në vendimmarje për çështjet që lidhen me ta.

Në fjalën e hapjes, Kryetarja e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Znj. Albana Vokshi u shpreh se kjo seancë vjen si një nismë sensibilizuese dhe ndërgjegjësimi për prindërit, për institucionet dhe për shoqërinë civile për të rritur kujdesin dhe për të parandaluar çdo lloj forme dhune apo të shfrytëzimit të fëmijëve. Ligji për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve ka forcuar mekanizmat institucionalë mbrojtës dhe institucionet që lobojnë për të drejtat e fëmijëve, që shtrihet nga Parlamenti deri në njësitë administrative në bashki dhe në komuna.

Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit, Z. Ilir Meta shprehu kënaqësinë që ligjvënësit dhe institucionet shtetërore janë aktive në garantimin e të drejtave të fëmijëve. Kuvendi dhe Komisioni i Çështjeve Sociale, komisionet e tjera dhe shumë deputetë kanë qenë dhe vazhdojnë që të jenë mjaft aktivë për të garantuar standarde më të larta, për të drejtat e fëmijëve në vend. Gjithashtu kryetari i kuvendit shprehu bindjen se edhe dëgjesa e zhvilluar sot, do t’i shërbejë rritjes së vëmendjes së Parlamentit, të qeverisë dhe të gjithë institucioneve të shoqërisë civile ndaj të drejtave të fëmijëve.

Zv. Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Znj. Bardhylka Kospiri, garantoi angazhimin e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ku është e domosdoshme që të gjithë prindërit, përfshirë dhe politikanët të kuptojnë se sa i pasur dhe me vlerë mund të jetë kontributi i fëmijëve që të ndërtojmë procese të tilla që të lejojnë pjesëmarrjen e fëmijëve në mënyrë sistematike. MMRS do të vazhdojë të punojë në këtë mision të saj lidhur me fëmijët dhe grupet në nevojë.
Znj. Ina Verzivolli, Kryetarja e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve përmes fjalës së saj vendosi theksin që të gjithë aktorët qeveritarë të kenë në fokus çështjet e fëmijëve, të dëgjojnë zërin e tyre. Kjo sepse fëmijët duhen konsideruar si aktorë aktivë të shoqërisë në zgjidhjen e problemeve që i prekin ata. Çështjet dhe rekomandimet e dala nga kjo seancë dëgjimore do të shtrohen për diskutim edhe në mbledhjen e radhës së Këshillit Kombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës. Më pas kryetarja e ASHMDF-së vijoi me një prezantim të shkurtër të “Nismës për fëmijët në situatë rruge”, një nismë e cila përmes bashkëpunimit ndërinstitucional dhe një përqasje të integruar gjithëpërfshirëse do të jetë në mbrojtje të interesave më të larta të fëmijës dhe mbështetjes së familjeve

Çështje dhe rekomandime të ngritura nga fëmijët:

  •  Fenomeni i braktisjes shkollore, një fenomen që evidentohet më shumë në komunitetin rom për shkak të kushteve ekonomike dhe varfërisë në këto familje. Fëmijët romë nuk duhet ta braktisin shkollën. Librat dhe fletoret e çdo nxënësi në shkollë duhet të jenë falas.
  • Dhuna fizike dhe psikologjike vazhdon ende të jetë prezente nëpër shkolla. Fëmijët romë për shkak të kushteve ekonomike të vështira janë të detyruar të punojnë dhe shpesh herë dhunohen.
  • Fëmijët me aftësi të kufizuar shpeshherë ndihen të diskriminuar në shkollë.
  • Integrimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara pas daljes nga instucionet.
  • Kujdes shëndetësor falas dhe cilësor për fëmijët.
  • E drejta e fëmijëve për pjesëmarrje nëpërmjet implementimit të rolit të qeverisë së nxënësve.
  • Martesat e hershme në komunitetin rom si një zgjidhje për mos përfunduar në situatë rruge. Shteti duhet të ndëshkojë prindërit që martojnë fëmijët e tyre në moshë të re.
  •  Emgrimi i fëmijëve rom nëpër shtete të ndryshme të Europës të cilët mund të bien pre e trafikimit dhe shfrytëzimit në rrugë.
  • Problemet e fëmijëve pa kujdes prindëror, të cilët duhet të kenë shërbime të ofruara me bazë familjen.
  • Të zbatohen përfitimet që fëmijët duhet të kenë për shkak të ” statusit të jetimit ” , të tilla si në transport, arsim , shëndetësi, strehim dhe argëtim .
  • Fëmijët në rrethet e tjera dhe zonat rurale duhet të informohen mbi të drejtat e tyre.
  • Duhet të ketë më shumë fushata ndërgjegjësuese me prindërit.

Gjatë seancës morën fjalën:

 

Znj. Mesila Doda, Kryetarja e “Aleancës së Grave Deputete”

Z. Igli Totozani, Avokati i Popullit

Znj.Irma Baraku, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi

Znj.Vaslika Hysi, Kryetarja e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut

Z. Petrit Vasili, Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim

Znj. Elsa Ballauri, aktiviste e të drejtave të njeriut në Shqipëri