Këshilli Kombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve

Në datën 3 tetor 2014 u mblodh Këshilli Kombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës (KKMDF), i cili është pjesë e mekanizmave institucionalë përgjegjës për realizimin e të drejtave të fëmijëve, i ngritur nëpërmjet Ligjit 10347 datë 4.11.2010 “Për mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve”.  Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (ASHMDF) bashkërendoi punën së bashku me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MMSR) për organizimin e këtij eventi, i cili u zhvillua në shtëpinë e foshnjës “Bethany”.

Këshilli u kryesua nga Ministri i MMSR Z. Erion Veliaj, që bashkërendon punën për çështjet e mbrojtjes së të drejtave të fëmijës, dhe janë anëtarë të tij Ministri i Drejtësisë, i Punëve të Brendshme, i Integrimit, i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, i Arsimit dhe Sportit, i Financave, dhe i Çështjeve Vendore, si dhe Avokati i Popullit, një përfaqësues nga Shoqata Kombëtare e Bashkive dhe dy përfaqësues nga shoqëria civile, përkatësisht nga Shoqata “Bashkë për Kujdesin Tërësor të Fëmijëve” dhe Shoqata “Mbrojtja e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuar”

Roli i këtij Këshilli është i rëndësishëm për të siguruar dhe reflektuar rregullisht sesi po arrihen rezultate dhe progrese, por dhe më gjerë si shoqëri që fëmijët të jetojnë të sigurt, të shëndetshëm, të gëzuar dhe me shpresë për të ardhmen. Ky këshill nëpërmjet një qasje të koordinuar ndër-sektoriale synon bashkëpunimin si nga istutucionet shtetërore por edhe nga shoqëria civile për të punuar më fort për respektimin dhe  në realizimin e të drejtave të fëmijëve.

Përmes këtij takimi të përbashkët u diskutua për nisma konkrete lidhur me nevojën për të punuar më fort, për të respektuar të drejtat e fëmijeve dhe jetën e fëmijëve në këtë vend si edhe sfidat për realizimin e këtyre të drejtave.

Të gjithë pjesëmarrësit shprehën shumë pozitive frymën e bashkëpunimin të institucioneve dhe arrritjeve pozitive me MMSR-ë dhe ASHMDF-ë, por edhe mes njëri tjetrit. Gjatë kësaj periudhe Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me MMSR ka bashkëpunuar për nismën për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge e cila ka dhënë frytet e para të saj. Kjo nismë do të  shtrihet edhe në qytete të tjera, duke marrë si model qytetin e Tiranës. Gjithashtu, brenda muajit tetor do të nënshkruhet një marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Inspektoriatit të Punës, që do të ketë në fokus mbrojtjen e fëmijëve nga shfytëzimi për punë, nga format e ndryshme të trafikimit.

Në kuadër të bashkëpunimit MMSR , Ministria Punëve të Brendshme, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes dhe OSBE, në muajin korrik 2014, kanë lançuar një projekt për parandalimin e shfrytëzimit të fëmijëve. Gjithashtu synohet nxitja e  bizneseve të miratojnë Kode Sjelljeje, që nënkupton, që të gjitha bizneset do të anagazhohen të mbrojnë të drejtat e fëmijëve, kryesisht për oraret e punës, pushime në rast sëmundjeje,  kushtet dhe sigurinë në punë të fëmijëve.

Ministria e Integrimit, si institucioni monitories dhe koordinues ka në fokus realizimin e masave që kanë të bëjnë me të drejtat e fëmijëve që janë përfshirë në Planin Kombëtar për Integrimin Europian.

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë është në fazë konsultimi të Strategjisë për fëmijët në konflikt me ligjin. Gjithashtu, është në proçes rishikimi edhe të Kodit të Proçedurës Penale, me qëllim që të bëhen të gjitha ndërhyrjet e nevojshme për të siguruar realizimin e të drejtave  të fëmijëve.

Avokati i Popullit në bashkëpunim me SHSSH është përfshirë në një plan inspektimesh të qendrave të kujdesit rezidencial.

Shoqëria civile vendosi theksin mbi bashkëpunimin dhe koordinimin midis përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe institucioneve  shtetërore. Gjithashtu, duhet të ofrohet ndihma juridike falas për të siguruar një mbështetje më të mirë për  të lehtësuar dhe përshpejtuar procedurat e kujdestarisë dhe të regjistrimit në gjëndjen civile si dhe përfaqësimet e fëmijëve në gjykatë.

Një grup vulneabël janë edhe fëmijët me aftësi të kufizuar për të cilët duhet një database për të disponuar të dhëna të sakta për numrin e fëmijëve PAK,  ofrimi i një arsimi më cilësor për këta fëmijë, dhënia e shërbimeve komunitare sa më afër fëmijëve dhe familjes etj.

Ministri i MMSR në fjalën përmbyllëse theksoi se për  çështjet e  mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të fëmijëve ka një ndjeshmëri të madhe publike  dhe në vetvete respektimi i këtyre të drejtave përbën një mision për MMSR. Ai vlerësoi punën e deritanishme  të  Kryetares së ASHMDF dhe theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve si pjesë edhe e detyrave të përcaktuara në  Prioritetin NR 5 të Komisionit Europian.