Znj. Miranda Pashaj, Kryetare e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, mekanizëm i ngritur vetëm dy muaj më parë në zbatim të Ligjit, u ndal tek detyrat specifike të kësaj stukture, duke filluar nga monitorimi i zbatimit të legjislacionit në fushën e të drejtave të fëmijëve, bashkërendimi i punës me të gjitha institucionet,  unifikimi i dhënave statistikore për çështjet që lidhen me fëmijët, si dhe vendosjen e sanksioneve për shkelësit e të drejtave të fëmijëve.

Në Konferencë u vu në dukje se ka filluar puna për ngritjen e institucioneve për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në nivel qendror dhe vendor, ku në nivel qendror tashmë janë ngritur dhe funksionojnë Këshilli Kombëtar si dhe Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, ndërsa në nivel vendor po ngrihen Njësitë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Këshillin e Qarkut si dhe në çdo bashki dhe komunë. Ngritja dhe konsolidimi i këtyre strukturave do të garantojë mbrojtjen më të mirë reale të fëmijëve dhe të të drejtave të tyre në të gjithë vendin, nëpërmjet identifikimit dhe asistimit të çdo fëmije në rrezik apo në nevojë për mbrojtje.