Konsultim për vazhdimësinë e punës për Fëmijët në Situatë Rruge

Plani i Veprimit për Fëmijë në situatë rruge i hartuar në bazë të Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis MMSR dhe MB “Për identifikimin dhe mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge” ka filluar zbatimin e tij që prej majit të vitit 2014 , fillimisht në Tiranë dhe gradualisht po shtrihet në bashki të tjera të vendit.

Ky Plan Veprimi ka për qëllim të mbrojë fëmijët nga të gjitha format e abuzimit, shfrytëzimit dhe neglizhimit, nëpërmjet një qasje të plotë, të integruar dhe një ndërhyrje të koordinuar ndër-sektoriale për mbrojtjen e fëmijëve dhe fuqizimin e familjeve të tyre.

Nisur nga eksperienca pozitive në Tiranë , nga rezultatet inkurajuese në ndihmë të fëmijëve dhe familjeve në situatë rruge si dhe nevoja për zgjerim të ndërhyrjes, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në konsultim me aktorë nga instiucionet dhe organizatat jofitimprurëse, pjesë e zbatimit të planit propozoi përditësimin e Planit të Veprimit për Fëmijët në Situatë Rruge 2015-2017.

Duke parë si domozdoshmëri shtrirjen e PV në bashkitë që rezultojnë pika të nxehta përsa i përket fenomenit të fëmijëve në situatë rruge , si dhe përfshirjen e të tjerë aktorëve të rëndësishëm në bashkëpunim, u organizua një Workshop, ku u ftuan dhe morën pjesë profesionistë nga të gjitha fushat, nga institucionet në nivel qëndror dhe vendor si dhe organizatat partnere.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi dhe konsultimi për përditësimin e Draft – Planit të Veprimit për fëmijë në situatë rruge 2015-2017 me të gjithë aktorët e përfshirë .

Të ftuarit u përshëndetën nga Zv.Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Znj. Bardhylka Kospiri dhe Zv. Ministrja e Punëve të Brendshme, Znj. Elona Gjebrea. Ato përgëzuan Agjencinë e Fëmijëve dhe të gjithë profesionistët për punën dhe rezultatet e dukshme që janë arritur dhe inkurajuan dhe siguruan pjesëmarrësit për mbështetjen dhe vazhdimësinë e bashkëpunimit me qëllim marrjen në mbrojtje të fëmijëve në situatë rruge në gjithë vendin.

Takimi u moderua nga Kryetarja e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, znj. Ina Verzivolli. Ajo bëri një prezantim të ecurisë së PV për vitin 2014-2015, dhe propozoi draft-planin e veprimit për fëmijët në situatë rruge 2015-2017. Zgjerimi dhe shtrirja gjeografike do jetë një nga drejtimet e PV. Aksioni kombëtar për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge në të gjithë vendin, i nisur që prej një viti në Tiranë do të forcohet duke shtuar të tjerë aktorë dhe partnerë, që do të përmirësojnë dhe shtojnë efikasitetin e ndërhyrjeve.

Prezantimi ngjalli interes dhe diskutime tek pjesëmarrësit e shumtë në worshop. Më pas të mbledhur në grupe pune, profesionistët nga gjithë vendi rrahën idetë dhe diskutimet për objektivat konkrete të PV. Puna për çdo grup, u lehtësua nga një moderator me eksperiencë , i cili më pas bëri dhe prezantimin e komenteve dhe konsultimeve të grupit.

Reflektimet e punës në grupe dhe diskutimet gjatë takimit u panë me shumë vlerë dhe do të jenë pjesëe planit të përditësuar. Komentet nga grupet e punës theksuan nevojën per përmirësim dhe vazhdimësinë e PV në terma afatgjatë.