Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës është pjesë e instrumentave ndërkombëtarë ligjërisht të detyrueshme për garantimin dhe mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut miratuar në vitin 1989.  Qëllimi i Konventës është që të mbrojë të drejtat e të gjithë fëmijëve në botë. Shqipëria e ka nënshkruar këtë Konventë në vitin 1990 dhe e ka ratifikuar atë në vitin 1992.

Konventa është instrumenti i parë ligjor, ndërkombëtar dhe detyrues i mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve. Kjo do të thotë se shtetet që ratifikojnë Konventën janë të obliguara të respektojnë dhe të sigurohen që të gjitha të drejtat, që janë vendosur në emër të fëmijëve, të respektohen.

Kjo konventë përfaqëson tekstin më të plotë ndërkombëtar që ekziston në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Konventa përbëhet nga 54 nene, që përcaktojnë kompleksin e të drejtave civile dhe politike të gjithë fëmijëve, si dhe të drejtat e tyre ekonomike, sociale dhe kulturore. Ajo gjithashtu mbështet mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve me nevoja të veçanta, të fëmijëve të pakicave dhe të fëmijëve refugjatë.

Konventa  është paisur dhe me tre Protokolle Opsionale, dy prej të cilave i janë bashkangjitur  në vitin 2000 dhe tjetri në vitin 2011. Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës, si një  instrumenti ligjërisht detyrues, është i pajisur me një mekanizëm monitorues. Shtetet që kanë ratifikuar Konventën,  monitorohen nga një komision ekspertësh, që quhet Komiteti për të Drejtat e Fëmijës. Ai mbikqyr të gjitha shtetet pjesëmarrëse në respektimin e Konventës, si dhe te Protokolleve shtesë të saj.

Lexo Konventën mbi të drejtat e fëmijëve