Të gjithë fëmijët, përfshirë ata në rethana të vështira, kanë nevojë për kujdes brënda kontekstit të familjes dhe kulturës së tyre

Tiranë – 19 Maj, 2014 – Gjetjet e një studimi kombëtar të publikuar për fëmijët në situatë rruge do të përdoren për të ofruar shërbime më të mira për fëmijët dhe familjet në nevojë. Studimi thekson se, shoqëria shqiptare nuk mund ta përballojë humbjen e një brezi pa fëmijëri.

Studimi i kryer ne periudhën Maj 2013 – Shkurt 2014, është ndërmarrë në kuadër të Reformës së Shërbimeve Sociale nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri, Arsis dhe GFK, mbështetur nga UNICEF dhe Save the Children.

Ky studim ofron një panoramë të saktë të situatës të fëmijëve të rrugës në Shqipëri. Ai paraqet disa nga shkaqet; ndikimin mbi fëmijët që janë në rrugë; ndërhyrjet aktuale që i ofrohen fëmijëve të rrugës dhe sfidat reja qe dalin ne pah. Ky studim, përfundon duke dhënë strategji të mundshme mbështetjeje.

Studimi, portretizon profilin e fëmijëve përfshirë shëndetin e tyre fizik dhe mendor; ekspozimin ndaj rrezikut të trafikimit ose shfrytëzimit; rrezikun e hyrjes në konflikt me ligjin; arsimimin e tyre, shkollimin dhe “punën” si dhe shëndetin e tyre. Studimi, përshkruan aksesin që ata kanë në përdorimin e shërbimeve, si dhe perceptimet dhe shpresat e fëmijëve.

Për momentin, ndërhyrjet sistematike për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge janë të kufizuara, dhe ofrohen në mënyrë rastësore, kryesisht nga shoqëria civile. Shërbimet ndaj të cilave kanë patur akses fëmijët në situatë rruge kanë sjellë pak ndryshime në jetën e tyre.

Ekzistojnë shumë klishe dhe paragjykime për fëmijët në situatë rruge. Shërbimet sociale, në dispozicion shumë rrallë kanë patur në objektivin e tyre ose janë hartuar për fëmijët në situatë rruge. Ndihma ndaj fëmijëve të rrugës, nuk është akoma pjesë
integrale e sistemit social të mbrojtjes.

Gjetjet e studimit, do të informojnë reformën mbarë-kombëtare të shërbimeve sociale, të ndërmarrë nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Vecanërisht, ato do të përdoren për planin kombëtar të veprimit dhe udhëzimet për punën me fëmijët në situatë rruge.

Disa rekomandime afat-shkurtra të studimit:
• Të përmirësohen të dhënat për fëmijët në situatë rruge; kjo do të ndihmojë për të kalibruar politikat dhe ndërhyrjet e ardhshme të qeverisë. Vecanerisht, është e nevojshme që Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Drejtësisë, të krijojnë sëbashku një bazë të dhënash për fëmijët në situatë rruge.

• Nevoja për ndërhyrje parandaluese dhe mbrojtëse për të ndihmuar fëmijën si individ dhe familjen e tij. Këto programe duhet të adresojnë format më të rënda të varfërisë, shkatërrimit të familjes dhe përjashtimit social.

• Papunësia te familjet e fëmijëve në situatë rruge duhet të trajtohet nëpërmjet politikave që I drejtohen atyre që kanë mundësi të punojnë por që për arsye të ndryshme nuk punojnë, dhe ndihmë sociale për ato familje që nuk mund të punojnë.

• Përfitimet sociale në fushën e arsimit, kujdesit shëndetsor, ose transferimi i kushtëzuar i parave duhet të rregullohen në mënyrë që fëmijët të mos gjenden në rrugë.

• Shërbimet e vecanta sipas moshës, mund të përqasin dhe mbështesin fëmijët e vegjël dhe të rritur në situatë rruge , duke marrë në konsideratë përvojat dhe lidhjen e tyre me familjen.

• Të identifikohen mënyra për të parandaluar fëmijët nga situata e rrugës.

• Në situate emergjente, procedurat për të ndihmuar fëmijët në rrugë duhet të jenë të shpejta dhe jo-burokratike, përfshirë kujdestarinë administrative. Statusi I punonjësve sociaë duhet të forcohet për të mundësuar ndërhyrjet e shpejta.

Në tërësi, studimi jep mesazhin për ndërhyrje, të cilat fuqizojnë rolin dhe pergjegjësinë e familjes ndaj fëmijëve të tyre. Vendosja e fëmijëve në shtëpi apo ambjente birësimi, duhet të konsiderohet si mundësia e fundit për zgjidhje të problemit.

Lexoni studimin e plotë në linkun Studim kombëtar mbi fëmijët në situate rruge në Shqipëri

Screenshot_2