Institucionet diskutojnë sfidat për fëmijët në situatë rruge

Me qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e abuzimit, shfrytëzimit dhe neglizhimit dhe fuqizimin e familjeve të tyre, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë  në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, me Drejtorinë e Përgjithëshme të Policisë,  institucionet përgjegjëse qendrore dhe vendore dhe OJF kanë hartuar dhe po zbatojnë  nismën “Ndihmë për Familjet dhe Fëmijët në situatë rruge” nëpërmjet një qasje të plotë, të integruar dhe një ndërhyrje të koordinuar ndër-sektoriale për mbrojtjen e fëmijëve dhe fuqizimin e familjeve të tyre.

Në zbatim të Nismës, është ngritur një Task- Forcë, krijimi i së cilës synon  koordinimin e institucioneve në kuadër të nismës, ku bëjnë pjesë përfaqësues nga: Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejatve të Fëmijëve, SHSSH, Shërbimi Kombëtar i Punësimit, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Bashkia Tiranë, Koordinatori Kombëtar Anti-trafik dhe disa OJF si vëzhguese.

Gjithashtu pranë SHSSH, është ngritur Bërthama ose Sekretariati i Task-Forcës e cila ka funksion koordinues të të gjithë skuadrave të terrenit dhe aktorëve të tjerë të nevojshëm.

Që nga krijimi i saj, janë realizuar tre mbledhje të Task Forcës, të cilat kanë për qëllim  analizën, koordinimin dhe propozimin e rrugëzgjidhjeve institucionale për situatat dhe problematikat që vijnë nga terreni. Nga takimi në takim, roli dhe gjetja e rrugëzgjidhjeve janë ravijëzuar duke qartësuar dhe lehtësuar rolet  dhe bashkëpunimin institucional.

Më datë datë  09.10.2014  u organizua mbledhja e tretë e radhës e Task- Forcës  për Nismën.

Qëllimi  i takimit ishte diskutimi i sfidave të  reja dhe të vazhdueshme si dhe masat që duhet të merren për t’i adresuar ato, duke e parë bashkëpunimin ndër-institucional  si vendimtar për zgjidhjen afatgjatë dhe të qëndrueshme të problematikave. Si dhe në mbledhjet e mëparshme u bë një një prezantim i shkurtër nga Bërthama e Task-Forcës i punës së bërë deri më tani,  rezultatet e arritura dhe sfidat e ndeshura. Pikat që u diskutuan ishin:

a)      Rishikimi i bashkëpunimit me policinë

b)     Problematikat në lidhje me regjistrimin në çerdhe/kopsht/shkollë si dhe pajisjen e fëmijëve me libra

c)      Problematikat e punësimit

d)     Mbulimi mediatik

e)      Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit