1. Në çdo bashki dhe në çdo njësi administrative bashkiake, e cila ka mbi 3000 fëmijë, krijohet ad-hoc, grupi teknik ndërsektorial i trajtimit të rasteve të fëmijës në nevojë për mbrojtje.

2. Grupi teknik ndërsektorial thirret nga drejtori i strukturës përgjegjëse për shërbimet shoqërore, në nivel bashkie, ose nga punonjësi i mbrojtjes së fëmijës, në nivel njësie administrative.

3. Grupi teknik ndërsektorial ka në përbërje përfaqësues të strukturave të policisë, strukturave të shërbimeve sociale, përfaqësues të strukturave arsimore, shëndetësore, të drejtësisë, të organizatave jofitimprurëse, si dhe çdo specialist tjetër që ka njohuri për situatën e fëmijës ose që mund të kontribuojë në marrjen apo zbatimin e masave për mbrojtjen e fëmijës, të cilët janë të detyruar të marrin pjesë në mbledhjet e grupit teknik ndërsektorial.

4. Në takimet e grupit teknik ndërsektorial thirren të marrin pjesë:

-anëtarët e nevojshëm për menaxhimin e rastit të fëmijës në rrezik;

-prindërit apo anëtarët e familjes ose kujdestarët e fëmijës;

-fëmija, bazuar në moshën dhe në aftësinë e tij për të kuptuar dhe duke marrë në konsideratë mbrojtjen e interesit më të lartë të tij.

5. Grupi teknik ndërsektorial mbështet punonjësin e mbrojtjes së fëmijës dhe njësinë e vlerësimit të nevojave dhe referimit për vlerësimin e rastit, hartimin e Planit Individual të Mbrojtjes, lehtëson referimin e tij, si dhe zbatimin e ndërhyrjeve apo veprimeve të përcaktuara në Planin Individual të Mbrojtjes.

6. Funksionimi  i  grupit  teknik  ndërsektorial  rregullohet  me  vendim  të  Këshillit  të Ministrave.