PAKTI për mbrojtjen e Fëmijëve në situatë rruge

Një PAKT i rëndësishëm u lidh nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Arsimit Sportit dhe Ministria e Punëve të Brendshme për Mbrojtjen, identifikimin dhe referimin e Fëmijëve në situatë rruge.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Z. Blendi Klosi në fjalën e tij theksoi rëndësine që shkolla ka për mbrojtjen e fëmijëve dhe garantimin e një të ardhme më të mirë, duke e vënë theksin tek arsimi profesional. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e një PAKTI që angazhon të gjithë shoqërinë për të qenë më e ndërgjegjshme në ndihmën dhe mbrojtjen ndaj fëmijëve. Bashkitë e reja do të duhet të luajnë një rol primar në ofrimin e shërbimeve për fëmijën.

Zevendës Ministrja e Arsimit, Znj Nora Malaj theksoi angazhimin e Ministrisë së arsimit për të siguruar një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, që garanton akses dhe vazhdueshmëri sidomos për fëmijët në nevojë.

Zevendës Ministri i Brendshem, Z. Ilirjan Mustafaraj nënvizoi angazhimin e Ministrisë së tij veçanërisht përsa i përket ndjekjes së rasteve ku ka shfrytëzim të fëmijëve.

Aktiviteti u organizua në kuadrin e fushatës sensibilizuese me rastin e 12 qershorit – Ditës Ndërkombëtare kundër punës së fëmijëve, që këtë vit i është bashkuar temës së Organizatës Botërore të Punës “Jo punës dhe shfrytëzimit të fëmijëve, Po shkollimit cilësor”.