Respektimi i të drejtave të fëmijëve është detyra e të gjithëve, si familjarë, qytetarë dhe anëtarë të një komuniteti.

Plani i Veprimit për Fëmijë 2012 – 2015, është një dokument që synon të nxisë bashkëpunimin ndërmjet aktorëve të ndryshëm qeveritarë, donatorëve, shoqërisë civile dhe komunitetit, për të marrë vendime të orientuara drejt respektimit të të drejtave të fëmijëve.

Miratimi i këtij dokumenti politik, në të njëjtën kohë, përmbushi edhe një nga pikat e rekomandimit 11 të BE-së për integrimin europian të vendit tonë.

Realizimi i të drejtave të fëmijëve për mbrojtje dhe përfshirje sociale; për mbrojtjen nga dhuna, abuzimi; për arsimim cilësor; për kujdes shëndetësor; për mbrojtje ligjore, do të mbeten përsëri prioritetet tona, duke siguruar kështu vazhdueshmërinë e politikave sociale të ndërmarra.

Plani i Veprimit për Fëmijë 2012 – 2015, pasqyron në të njëjtën kohë edhe ndryshimet e rëndësishme legjislative dhe institucionale që kanë ndodhur vitin e fundit. Një ligj i ri për të drejtat e fëmijëve dhe krijimi i mekanizmave të reja për realizimin e këtyre të drejtave, kanë krijuar një realitet të ri që kërkon marrjen e përgjegjësive të qarta sidomos nga pushteti vendor.

Shpresoj që zbatimi i këtij Plani Veprimi, të nxisë dhe forcojë bashkëpunimin ndërmjet të gjithë aktorëve në këtë fushë, për të arritur një qëllim të përbashkët “një mjedis të sigurtë për fëmijët tanë”.

Shkarkoni te plote:  PLANI I VEPRIMIT PER FEMIJET 2012-2015