25 vjetori i miratimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës është një ngjarje e shënuar jo vetëm në Shqipëri por në mbarë botën. Kjo konventë erdhi pas një revolucioni të thellë në mendimin e të rriturve lidhur me fëmijët – ata nuk konsiderohen si “pronë” e të rriturve, as si zgjatim i prindërve, por si individë të pavarur me të drejta të plota. Ratifikimi i Konventës në vitin 1992 në Shqipëri shërbeu si një gur themeli për ndërtimin e vlerave demokratike dhe në trajtimin e fëmijëve si qytetarë me të drejta të plota.

Kur flitet për të drejtat e fëmijëve nuk mund të mos mendosh për një fëmijë që është i gëzuar, i cili shpenzon kohë në lojëra e argëtime, ka mundësi të arsimohet, të shoqërohet dhe të pranohet nga shokët dhe mësuesit, është pjesë e një familjeje e komuniteti që i vlerëson, i mbron dhe kujdeset për ta, dhe jeton në një shtet që i ka në vëmendje fëmijët në nevojë dhe në rrezik.

Por kjo nuk është ende situata në Shqipëri, ku fëmijët vuajnë shkelje të rënda të të drejtave dhe mirëqënia e fëmijëve rrallë herë diskutohet si një çështje prioritare e politikës dhe e shoqërisë. Për më tepër kur flitet për grupe të caktuara të fëmijëve, siç janë fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët në gjakmarrrje, fëmijët në situatë rruge, fëmijët me HIV/AIDS, shpesh herë programet janë ende shumë larg të të kuptuarit, arritjes dhe adresimit të nevojave dhe të drejtave të këtyre grupeve.

Edhe pse një sërë nismash janë ndërmarrë për të plotësuar në mënyrë të qëllimshme nevojat dhe të drejtat e fëmijëve – dhënia e bonusit shtesë për familjet në programin e ndihmës ekonomike për çdo fëmijë që shkon në shkollë, nisma për mbrojtjen dhe kujdesin për fëmijët në situatë rruge; nisma për parandalimin e institucionalizimit të fëmijëve në shtëpitë e fëmijës, etj., jemi të vetëdijshëm se këto nuk mjaftojnë. Ende ka shumë punë për të ndërtuar një sistem të mbrojtjes sociale, i cili në radhë të parë mbron fëmijët dhe familjet më të rrezikuara.

Raporti për situatën e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, i hartuar nga ASHMDF, synon të shkojë përtej ligjërimeve politike dhe të sjellë në vëmendje sfidat, vështirësitë dhe hendeqet që ende ekzistojnë që fëmijët të gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre.

ASHMDF luan një rol mjaft aktiv për t’u bërë zëri i fëmijëve dhe për të sjellë drejtpërdrejtë zërin e tyre, veçanërisht të atyre më të përjashtuar. Nxitja e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të fëmijëve në proceset vendimarrëse duhet të kthehet në prioritet për të gjitha institucionet e tjetra të pushtetit qëndror dhe vendor për të siguruar që të drejtat e tyre të respektohen dhe programet e hartuara të kenë në qendër fëmijët.

Puna për të përmbushur të drejtat e fëmijëve është një punë që ndikon jetën e tyre sot, ndikon që ata të jetojnë një fëmijëri të lumtur dhe të shëndetshme, por njëkohësisht ndikon që fëmijët të bëhen të rritur të përgjegjshëm dhe me vlera për veten, familjet dhe komunitetet e tyre.

Prandaj, le të bashkojmë forcat dhe angazhohemi si institucione dhe si shoqëri për të siguruar një mbrojtje sa më të mirë të të drejtave të fëmijëve tanë drejt rrugës për integrimin në familjen Evropiane.

Erion Veliaj

Ministër i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë

 

Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve është një detyrë parësore e institucioneve shtetërore në nivel qëndror dhe vendor, që kërkon një shtrat të mirë ligjor, por edhe profesionistë që punojnë dhe janë në kontakt me fëmijët. Në këtë 25 vjetor të miratimit të Konventës “Për të Drejtat e Fëmijës” ne mund të rendisim shumë hapa të rëndësishëm të ndërmarrë ndër vite, përmirësime ligjore dhe institucionale, programe në mbrojtje të fëmijëve, strategji, plane veprimi dhe politika publike që adresojnë çështjet e fëmijëve.

Të drejtat e fëmijëve nuk mjaftojnë të parashikohen në Konventa dhe ligje, por ato duhet të zbatohen plotësisht dhe në mënyrë të barabartë për të gjithë fëmijët. Të drejtat e fëmijës mund dhe duhet të realizohen duke luftuar varfërinë, ofruar kujdes shëndetësor, arsimim për të gjithë, shërbime sociale për fëmijët dhe familjet në nevojë.

Fëmijët kanë nevojë për mbrojtje të veçantë nga shteti. Çdo vonesë në reagimin e institucioneve ndaj shkeljes së të drejtave të tyre do të rrezikonte sigurinë fizike, emocionale dhe psikologjike të fëmijës. Në këtë drejtim, Shqipëria ka nevojë të forcojë institucionet që monitorojnë e kontrollojnë sesa zbatohet në mënyrë korrekte kuadri ligjor, cilësinë e shërbimeve ndaj fëmijëve dhe mbi të gjitha ato duhet të nxjerrin në pah mangësitë e sistemit të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Prej shumë vitesh në Shqipëri këtë rol e kanë luajtur organizatat e shoqërisë civile, vendase dhe të huaja. Krahas punës së shoqërisë civile, nevojitet forcimi i institucioneve shtetërore që veprojnë në këtë fushë.

Raport periodik i ASHMDF për situatën e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, parathënien e të cilit kam privilegjin të zhvilloj, i shërben më së miri vënies në pah të arritjeve dhe sfidave për të ardhmen, si edhe qartësimit të përgjegjësive konkrete për institucionet qëndrore dhe vendore në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve.

Asnjë argument nuk mund të justifikojë mosreagimin dhe mungesën e koordonimit midis institucioneve për rastet e dhunës ndaj fëmijëve, fëmijëve të ngujuar, shfrytëzimit për punë ose fëmijëve në situatë rruge, etj. Fondet nuk janë asnjëherë të mjaftueshme për të investuar për fëmijët dhe të ardhmen e tyre, por ne i kemi të gjitha mundësitë të shfrytëzojmë maksimalisht burimet financiare që kemi dhe të koordinojmë nismat shtetërore me ato të partnerëve vendas dhe ndërkombëtar, dhe mbi të gjitha, të kanalizojmë energjitë tona për më shumë veprime konkrete dhe më pak punë abstrakte.

Miratimi i ligjeve nuk duhet të na gëzojnë se kemi në letër ligjin e rradhës të shkruar mire, pa u kujdesur për zbatimin e tyre; strategjitë dhe planet e veprimit nuk duhen parë si detyra e rradhës e realizuar brenda afateve kohore; koordinimi dhe takimet mes institucioneve qëndrore dhe vendore nuk duhen konsideruar si garë për të shmangur përgjegjësitë. Ashtu siç fëmijët janë të sinqertë, edhe të rriturit duhet të jenë të sinqertë në punën dhe përkushtimin ndaj tyre.

Së fundmi, dëshiroj të falenderoj ASHMDF, që më ofroi mundësinë të shkruaj disa fjalë në këtë 25 vjetor të Konventës së Fëmijëve dhe në publikimin e raportit periodik të këtij institucioni. Ky raport profesional do të më shërbejë mua, kolegeve dhe kolegëvë të mi në punën tonë në vijim, si një hartë për t’u orientuar më qartë se ku nevojitet ndërhyrja dhe mbështetja e Kuvendit të Shqipërisë.

Të gjithë ata, që kontribuojnë çdo ditë për fëmijët meritojnë mirënjohje për punën fisnike dhe investimin që po i bëjnë shoqërisë për të ardhmen. Një shoqëri që respekton dhe garanton të drejtat e fëmijëve është më e sigurt dhe e shëndetshme sot dhe në të ardhmen e saj.

Prof. Dr. Vasilika Hysi

 

Kryetare e Nënkomisionit të të Drejtave te Njeriut

 

Kuvendi i Shqipërisë

 

Lexoni raportin e plote ne linkun Raport kombëtar mbi situatën e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri  2013-2014