Takimi  dy ditor për forcimin e rrjetit të mbrojtjes së fëmijëve

Në datat 18-20 Shtator 2014, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve organizoi një takim dy ditor me temë “Forcimi i rrjetit të mbrojtjes së fëmijëve”.

Qëllimi i takimit ishte krijimi dhe forcimi i bashkëpunimit midis Njësive të Mbrojtjes së Fëmijëve dhe Njësive të të Drejtave të Fëmijëve, thellimi i njohurive mbi sistemin e mbrojtjes së fëmijëve, ndarjen e praktikave, modeleve pozitive dhe të suksesshme në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, krijimi i një komunikimi të përbashkët dhe bashkëpunimi funksional me zyrat rajonale të shërbimit social si dhe shërbimeve për fëmijët dhe familjet, të ofruara si nga organizatat e shoqërisë  civile dhe ato shtetërore.

U ftuan në takim dhe morën pjesë 70 pjesëmarrës; 12 NJDF, NJMF dhe përfaqësues nga organizata që punojnë për mbrojtjen e fëmijëve.

Organizimi i takimit u mbështet nga UNICEF dhe organizata të tjera që punojnë për të drejtat e fëmijëve.

Takimi u hap  nga Kryetarja e Agjencisë  Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Znj. Ina Verzivolli e cila, pas fjalës përshëndetëse dhe mirëseardhjes, i prezantoi pjesëmarrësit me  qëllimin dhe  objektivat  e takimit.

Më pas takimi u përshëndet nga përfaqësuesja e UNICEF në Shqipëri, Znj Vera Gavrilova. Ajo i falenderoi organizatorët e takimit dhe të  ftuarit për punën fisnike  që bëjnë dhe i siguroi pjesëmarrësit se  të gjitha sugjerimet që do  të dilnin nga ky takim do të  mirëpriten dhe do të mbështeten nga UNICEF.

Takimi u organizua i ndarë në  sesione në bazë të tematikave të caktuara.

Një sesion i veçantë iu kushtua prezantimit, nga Arda Lazareni, nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve të  kuadrit ligjor, lidhur me menaxhimin e rasteve të fëmijëve në rrezik: Ligjit “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës “,VKM 265 “Për krijimin dhe funksionimin e mekanizmit të  bashkërendimit të punës ndërmjet autoriteteve shtetërore përgjegjëse për referimin e rasteve të fëmijëve në rrezik, si dhe mënyrën e procedimit të tij”, proçedurat për menaxhimin e rastit, që janë në proçes miratimi.

Znj.Juliana Hajdini, pedagoge e Fakultetit të Shkencave Sociale i njohu të ftuarit me  qëllimin, objektivat dhe kurrikulën e Kursit për “Çështjet e Mbrojtjes së Fëmijës”. Disa nga të pranishmit që kishin marrë pjesë në Kursin e parë  ndanë  eksperiencat me  pjesëmarrësit në takim. Pjesëmarrësit i përshëndeti dhe Znj, Enkeleida Lopari, Këshilltare e Ministrit në MMSR e cila  theksoi rëndësinë e kursit dhe  të pjesëmarrjes së  Punonjësve për Mbrojtjen e Fëmijës. Pas informimit për mënyrën e aplikimit, u plotësuan formularë të shumtë nga aplikantët e rinj, që synojnë pjesëmarrjen në kursin e rradhës.

Në pjesën e  dytë të ditës, në sesionin e moderuar nga Alketa Lasku, e organizatës Terre des Homme, u bë  prezantimi i 4 rasteve  të marra nga  problematika të ndryshme të fëmijëve në nevojë për mbrojtje nga dhuna, abuzimi dhe shfrytëzimi. Rastet ishin të ngjashme me  eksperiencat konkrete nga puna e  NJMF-ve.  Puna në këtë sesion ishte e organizuar në 4 grupe pune. Grupet u facilituan nga një  moderator nga Terre des Homme që  jepte udhëzime teknike mbi procesin e menaxhimit të rastit dhe nxiti diskutimin e pjesëmarrësve dhe interpretimin e tyre. Rastet u prezantuan nga vetë pjesëmarrësit në një seancë plenare. Dita e parë u mbyll me një darkë dhe mbrëmje argëtuese për pjesëmarrësit.

Dita e dytë nisi  me prezantimin e “Nismës dhe Planit të Veprimit për Fëmijët në Situatë  Rruge” nga Kryetarja e Agjencisë znj, Ina Verzivolli dhe të “Udhëzuesit  për Fëmijët në Situatë  Rruge” nga Drejtori i ARISIS, Z. Zino Kore. Në këtë sesion pati diskutime  dhe ndarje eksperiencash në lidhje me identifikimin e fëmijëve në situatë rruge dhe menaxhimin e këtyre rasteve nga NJMF-të e Tiranës, që janë pjesë e kësaj Nisme.

Raportimi periodik i të dhënave për ASHMDF dhe diskutimi i formularëve të raportimit u prezantuan  nga znj, Arda Lazareni, përgjegjese sektori në Agjencinë e fëmijëve. Ky prezantim pati një interes të veçantë nga ana e pjesëmarresve dhe u pasua me diskutime dhe propozime të ndryshme.

Sesioni tjetër që u moderua nga  Ridiona Stana, përfaqësuese e World Vision në Shqipëri,  prezantoi 3 tematika specifike  për mbrojtjen e fëmijëve, nga një panel të ftuarish që dhanë njohuri për:

“Fëmijërinë  e hershme” – Mirlinda Bushati, UNICEF

“Fëmijët në konflikt me ligjin” – Alma Kordoni, përfaqësuese e  Miridia, Elidiana Metani, përfaqësuese Save the Children

“Abuzimi seksual ndaj fëmijëve” – Alketa Kupe, Terre des Homme

E  ftuar në takim ishte dhe Znj, Bardhylka Kospiri, Zv.Ministre e MMSR, e cila i përgëzoi dhe falenderoi pjesëmarrësit, duke i nxitur që të vazhdojnë të kontribojnë në misionin e rëndësishëm për mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve në Shqipëri. Ajo mori pjesë në procesin e shpërndarjes së çertifikatave për pjesëmarrësit.

Në fund iu la vendi pyetjeve dhe diskutimeve përfundimtare të takimit.Vlerësimin për takimin, pjesëmarrësit e shprehën dhe përmes formularëve të plotësuar në fund të takimit që në përgjithesi ishte  shumë pozitiv dhe vlerësues.