Takimi i 9-të i Komitetit të Lanzarotes

9-11 Shtator 2014, Strasburg

Komiteti i Lanzarotes zhvilloi takimin e tij të 9të në Strasburg, në datat 9,10,dhe 11 shtator. Shqipëria, e cila e ka ratifikuar këtë Konventë në 2010, u përfaqësua nga Kryetarja e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.

Aktualisht, Komiteti po monitoron zbatimin e Konventës nga shtetet palë, në lidhje me tematikën e rradhës së parë të monitorimit, mbi abuzimin seksual me fëmijët brenda rrethit të besimit. Dy çështjet që u shqyrtuan më nga afër nga Komiteti gjatë këtij roundi kanë të bëjnë me përgjegjësinë ligjore të personave juridikë si dhe me veprat që përbëjnë abuzim seksual sipas legjislacionit vendas.

Raportuesit mbi këto tema paraqitën gjetjet e tyre dhe bënë rekomandime, të cilat Komiteti do ti marrë parasysh për raportin e tij global në 2015.

Në lidhje me përkufizimin e veprave penale që përbëjnë abuzim seksual, Shqipëria u kritikua nga raportuesi (Austria) në lidhje me përdorimin e një terminologjie diskriminuese mbi bazën e orientimit seksual. Kjo pasi në lidhje me krimet seksuale me të mitur, Kodi Penal i referohet marredhënieve ‘seksuale dhe homoseksuale’. Megjithëse përsa i përket dënimeve të krimeve seksuale me të mitur nuk ka dallime substanciale midis marrëdhënieve heteroseksuale dhe homoseksuale, vendosja përballë e marrëdhenieve seksuale (dhe jo heteroseksuale) me ato homoseksuale u sugjerua se mund të rezultojë në diskriminim mbi bazën e orientimit seksual. Raportuesi i sugjeroi Shqipërisë të operojë ndryshime në nenet përkatëse të Kodit Penal duke përmirësuar formulimin e artikujve përkatës.

Gjatë këtij takimi, Shqipëria u caktua si  përfaqësuese e Komitetit të Lanzarotës në Komitetin që do të hartojë Strategjinë e re Europiane mbi të drejtat e fëmijëve. Kjo përbën një oportunitet për Shqipërinë, e cila në të njëjtën periudhë do të rishikojë gjithashtu edhe Planin e saj të Veprimit për Fëmijët.

Komiteti do të mblidhet sërish në dhjetor 2015, për të shqyrtuar sistemet e mbledhjes së të dhënave mbi abuzimet dhe shfrytëzimet seksuale, interesin më të lartë të fëmijës në proceset gjyqësore, dhe proçedurat gjyqësore miqësore për fëmijët.