Më 12 Qershor, në Ditën Botërore kundër Punës së Fëmijëve, 100 vullnetarë dhe aktivistë socialë ngritën zërin për ti thënë JO shfrytëzimit të fëmijëve.

Kjo fushatë ndërgjegjësuese qytetare u organizua nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në bashkëpunim me Shërbimin Social Shtetëror, Drejtorinë e Policisë Tiranë, Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve dhe shumë organizata të shoqërisë civile.

Ministri i MMSR, Z. Erion Veliaj në një takim në ambientet e ministrisë, prezantoi fushatën sensibilizuese për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në situatë rruge. Ai vuri në dukje se problemi i fëmijëve në situatë rruge nuk është vetëm i institucioneve, por i të gjithë shoqërisë shqiptare, prandaj është i nevojshëm ndërgjegjësimi i saj që të mos e ushqejë fenomenin.

Vullnetarët u shpërndanë në qytetin e Tiranës dhe mbuluan zona si: stacioni i trenit, bulevardi Zogu I, Lapraka, Unaza e vogël, Vasil Shanto, zona e Bllokut, Rruga e Durrësit dhe e Kavajës, Myslym Shyri, Taivani, pedonalja, liqeni, Pazari i Ri, sheshi Skënderbej etj.

Fushata konsistoi në sensibilizimin e qytetarëve në lidhje me fenomenin e fëmijëve në situatë rruge dhe shfrytëzimin e tyre për punë apo lypje. Pas aktit të lypjes apo punës në rrugë shpesh qëndron shfrytëzimi i fëmijëve, dhe ky është një biznes i vërtetë që duhet ndaluar e që ka kosto shkatërrimin e jetës së atij fëmije.

Shumë nga qytetarët janë të painformuar se dhënia e parave për fëmijët që lypin apo punojnë në rrugë, një gjest i nisur  nga dëshira e mirë për të ndihmuar, ushqen një cikël shfrytëzimi të fëmijëve. Siç u shpreh Ministri Veliaj, “E vetmja mënyrë për ta falimentuar këtë biznes është duke mos i bërë xhiro këtij biznesi”.

Vullnetarët ndërgjegjësuan qytetarët se ka shumë mënyra për të ndihmuar këta fëmijë. Një ndër mënyrat është duke dhuruar veshje, ushqime, libra për këta fëmijë pranë Shërbimit Social Shtetëror, në Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve në bashki apo duke ndihmuar OJF-të që ofrojnë shërbime për këto fëmijë dhe familjet e tyre.

Qyetarëve ju bë thirrje të jenë bashkëpunues dhe në çdo rast të fëmijëve që shfrytëzohen në rrugë ta dencojnë në polici, sepse kjo është një veprimtari kriminale dhe do të ketë ndjekje penale të tutorëve apo prindërve të papërgjegjshëm.

Kjo fushatë ndërgjegjësimi do të vazhdojë në muajt e ardhshëm, me evente dhe ditë të tjera senzibilizimi.