Thirrje për vazhdimësinë e  Fushatës Ndërgjegjësuese për ti thënë “Jo shfrytëzimit për lypje dhe për punë të fëmijëve”                                

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Shërbimi Social Shtetëror në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Njësitë për Mbrojtjen e  Fëmijëve  dhe organizata që ofrojnë shërbim për fëmijë dhe familje në situatë  organizojnë vazhdimësinë e  Fushatës Ndërgjegjësuese për ti thënë “Jo shfrytëzimit për lypje dhe për punë të fëmijëve” .

Fushata Ndërgjegjësuese  do të jetë  në vazhdimësi çdo  ditë të premte  të javës. Organizimi i saj fillon  më datë  19.09.2014.

Nëpërmjet kësaj fushate do të përcillen mesazhe për të mos ndihmuar fenomenin e shfrytëzimit të fëmijëve duke u dhënë para këtyre fëmijëve, por duke kontribuar në mënyra të tjera humane, siç është ofrimi i ndihmës për institucionet që ofrojnë shërbim dhe përkujdesje për fëmijët, në qendra ditore për fëmijë.  Nëse shikohen fëmijë në rrugë dhe kanë nevojë për ndihmë qytetarët  kanë përgjegjësinë , të mos rrinë indiferent por të telefonojnë 129, Alo 116 111 ose Njësinë për Mbrojtjen  e Fëmijëve.

Fushata ndërgjegjësuese do të vijojë të fuqizohet dhe me komunikime nëpërmjet mediave të tjera.

Vullnetarët do të orientohen gjatë një takimi paraprak mbi mesazhin dhe qasjen e Fushatës.

Ju ftojmë, sa herë të keni mundësi të përfshiheni në Fushatën Ndërgjegjësuese.