Tryezë Konsultimi Publik, dedikuar drejtësisë së të miturve

Më 31 Gusht 2015, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, u mbajt një Tryezë Konsultimi Publik, dedikuar drejtësisë së të miturve në fokus të Reformës së Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri. Kjo tryezë u organizua nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, në bashkëpunim me UNICEF dhe EURALIUS.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte prezantimi i gjetjeve kryesore të Analizës së Sistemit të Drejtësisë për çështjet e të miturve dhe sugjerime se si mund të reformohet Drejtësia për të mitur dhe kush janë elementët kryesorë që kanë nevojë për vëmendje. Me rëndësi është propozimi për të hartuar dhe miratuar një kod të posaçëm për Drejtësinë për të mitur, që do të prekë jo vetëm aspektet e drejtësisë penale, por edhe ato civile e administrative. Një Kod i tillë do të garantojë jetësimin e parimeve themelore të të drejtave të fëmijëve në legjislacionin shqiptar.

Kryetarja e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve bëri prezent problematika të cilat kontribuojnë në ngritjen e një Sistemi të Drejtësisë Miqësore për të Mitur, duke marrë si konsideratë parësore interesin më të lartë të fëmijës. Ndërtimi i një drejtësie miqësore për fëmijët është një hap themelor për ngritjen e një sistemi të integruar për mbrojtjen e fëmijëve. Agjencia do të vazhdojë të ndjekë me interes të lartë këtë proces.