Udhëzim  Nr. 14, datë 10.5.2016 për “Ofrimin e shërbimit të emergjencës në institucionet e përkujdesit shoqëror të financuara nga fondet e buxhetit të shtetit publik që ofrojnë shërbime të përkujdesit rezidenciale për fëmijët në nevojë”

Sipas udhëzimit, institucionet e përkujdesit social rezidencial publike të financuara nga fondet e buxhetit të shtetit duhet të ofrojnë shërbimin e emergjencës për një periudhë kohore prej 72 orësh për fëmijët e identifikuar që kanë në nevojë për mbrojtje të menjëhershme dhe drejtuesit e këtyre institucioneve marrin masa për garantimin e burimeve të nevojshme materiale dhe njerëzore për ofrimin e këtij shërbimi. Për shërbimin e emergjencës, institucioni ofron në mënyrë të menjëhershme strehim, ushqim, kujdes shëndetësor dhe mbrojtje ligjore. Fëmijët që kanë nevojë për mbrojtje të menjëhershme referohen në këto institucione nga Njësitë për Mbrojtjen e Fëmijëve, strukturat e policisë, Shërbimi Social Shtetëror/Rajonal.

Fëmijë që kanë në nevojë për mbrojtje të menjëhershme, të cilëve u ofrohet shërbimi i emergjencës në institucion përfshijnë:

  • Fëmijë të gjendur vetëm, të pashoqëruar në situatë rruge
  • Fëmijë të neglizhuar, që jetojnë në rrethana që vendosin në rrezik jetën  dhe shëndetin e fëmijës
  • Fëmijë të abuzuar seksualisht nga personat në gjini apo kujdestari
  • Fëmijë të trafikuar dhe shfrytëzuar seksualisht

Lexo në linkun Udhëzimin për “Ofrimin e shërbimit të emergjencës në institucionet e përkujdesit shoqëror të financuara nga fondet e buxhetit të shtetit publik që ofrojnë shërbime të përkujdesit rezidenciale për fëmijët në nevojë”

—————————————————————————————————————————

Udhëzues i “Procedurave për identifikimin, ndihmën e menjëhershme dhe referimin e fëmijëve në situatë rruge” 2015

Ky dokument është një udhëzues praktik mbi proçedurat që duhet të ndiqen nga profesionistët e përfshirë në identifikimin, referimin dhe mbrojtjen e fëmijëve, që janë në situatë rruge në territorin e republikës së Shqipërisë. Udhëzuesi synon të ofrojë një kornizë institucionale veprimesh, që janë në përputhje me interesin më të lartë të fëmijës, në zbatim të legjislacionit shqiptar dhe instrumentave të tjera operacionale, aktet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe sidomos atyre që janë në nevojë dhe në rrezik nga dhuna dhe abuzimi i të gjitha formave.

Ai përmban parimet e punës, veprimet që mund të kryhen, si dhe shembuj e mjete praktike, të cilat janë vlerësuar dhe pranuar si të përshtatshme për identifikimin, referimin dhe adresimin e nevojave të fëmijëve në situatë rruge. Këto parime dhe veprime janë të vlefshme edhe për rastet e fëmijëve në situata emergjente, për të cilët nëse nuk ndërhyet në kohë, mund të përfundojnë në situatë rruge.

Lexo në linkun Udhëzuesin e procedurave për identifikimin, ndihmën e menjëhershme dhe referimin e fëmijëve në situatë rruge 2015

—————————————————————————————————————————

Udhëzim Nr. 10, datë 25.2.2015 “Për mënyrat, format e bashkëpunimit dhe procedurat e ndërhyrjes në ndihmë të fëmijëve në rrezik për institucionet dhe strukturat kryesore përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijës”

Për ndërtimin e një sistemi të mbrojtjes së fëmijëve efektiv dhe afat-gjatë kërkon me domosdoshmëri një mbrojtje gjithpërfshirëse dhe multidisiplinare. Kjo sjell nevojën për të përcaktuar qartë rolet dhe procedurat për bashkëpunim në kuadër të identifikimit, referimit dhe menaxhimin e rasteve të fëmijëve në rrezik, për të gjitha institucionet, organizatat dhe institucionet publike apo private që punojnë me fëmijët dhe kanë përgjegjësinë për t’i mbrojtur ata. Me këtë qëllim, është miratuar Udhëzimi i katër ministrave për Procedurat e Mbrojtjes së Fëmijëve.

Qëllimi i këtij udhëzimi është përcaktimi i detyrave, përgjegjësive dhe procedurat standarde për institucionet dhe strukturat kryesore përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve lidhur me mbrojtjen e të drejtave të fëmijës. Ky udhëzim përmban procedurat që duhet të ndiqen për të ndihmuar fëmijët të cilët kanë nevojë të mbrohen nga dhuna, abuzimi, neglizhimi apo shfrytëzimi. Udhëzimi është i ndarë në dy pjesë: Pjesa e parë përmban rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve dhe aktorëve kryesorë lidhur me mbrojtjen e fëmijës dhe Pjesa e dytë e cila përmban udhëzime teknike të rëndësishme në lidhje me procedurat e ndërhyrjes në mbrojtje të fëmijëve në rrezik.

Lexo në linkun Udhëzimin Nr. 10, datë 25.2.2015 “Për mënyrat, format e bashkëpunimit dhe procedurat e ndërhyrjes në ndihmë të fëmijëve në rrezik për institucionet dhe strukturat kryesore përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijës