Sample Page
Agjencia Shtetërore për tё Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës është person juridik në varësi të ministrisë që bashkërendon punën për çështjet e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës, financuar nga fondet e Buxhetit të Shtetit dhe burime të tjera, sipas ligjit.
Detyra e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës në lidhje me ngritjen dhe mirëfunksionimin e sistemit të integruar të mbrojtjes së fëmijës.
1. Agjencia është përgjegjëse për koordinimin dhe organizimin e sistemit të integruar të mbrojtjes së fëmijës, në zbatim të politikave kombëtare për mbrojtjen e fëmijës, duke përfshirë zbatimin e ndërhyrjeve dhe marrjen e masave për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijës nga abuzimi, neglizhimi, keqtrajtimi dhe dhuna.
2. Agjencia ka për detyrë t’u ofrojё mbështetje të drejtpërdrejtё strukturave të mbrojtjes së fëmijës në nivel vendor, në lidhje me:
- koordinimin me agjenci të tjera shtetërore dhe private;
- zhvillimin e aktiviteteve profesionale, në lidhje me mbrojtjen e fëmijës;
- asistencën për menaxhimin dhe zgjidhjen e rasteve të caktuara të fëmijës në nevojё për mbrojtje, si edhe supervizimin, në raste të caktuara; bashkërendim të punës për raste ndёrshtetërore të mbrojtjes së fëmijës;
- këshillimin e agjencive shtetërore qendrore dhe vendore, si dhe të punonjësve që punojnë në institucione publike e private për ndihmën e fëmijës në rrezik apo në nevojë për mbrojtje, për të cilën agjencia nxjerr një urdhër të brendshëm për mënyrën e funksionimit
3. Agjencia ka për detyrë gjithashtu:
- të mbledhë të dhëna në nivel kombëtar për mbrojtjen e fëmijës dhe të menaxhojë
- regjistrin elektronik kombëtar për rastet e fëmijës në nevojë për mbrojtje;
- të analizojë nevojat për ndërhyrje specifike në fushën e mbrojtjes së fëmijës dhe të mbështetjes së familjeve me një fokus të veçantë te parandalimi;
- të kontrollojë cilësinë e shërbimit të strukturave të mbrojtjes;
- të koordinojë dhe të organizojë trajnime të edukimit vazhdues për punonjësit e mbrojtjes së fëmijës dhe profesionistëve të tjerë që punojnë me fëmijët në nevojë për mbrojtje;
- në zbatim të nenit 11, pika 6, e këtij ligji, të bashkëpunojë me autoritetet përgjegjëse për realizimin e procesit të mbrojtjes dhe marrjes së masave për menaxhimin e rasteve të fëmijës në situatë migrimi, në situatë ndërkufitare dhe në nevojë për mbrojtje jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të fëmijës së pashoqëruar.




