Ligji nr 18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”

Ligji përcakton të drejtat dhe mbrojtjen që gëzon çdo fëmijë, mekanizmat dhe autoritetet përgjegjëse, që garantojnë me efektivitet ushtrimin, respektimin, promovimin e këtyre të drejtave, si dhe mbrojtjen e veçantë të fëmijës. Qëllimi i këtij ligji është: të përcaktojë të drejtat dhe aksesin në të drejta; mekanizmat konkrete dhe efektive që garantojnë realizimin me efektivitet të këtyre të drejtave; përkujdesjen e posaçme për fëmijët; ngritjen e një sistemi të integruar të mbrojtjes së fëmijëve.

Ky ligj sjell një qasje tjetër ndaj mënyrës se si konceptohen të drejtat e fëmijës, në të cilin grupe fëmijësh janë veçanërisht në fokus të sistemit të integruar të mbrojtjes dhe masat konkrete të mbrojtjes që duhet të merren nga strukturat përgjegjëse për të parandaluar, rehabilituar ose mbrojtur në vazhdimësi fëmijën që është subjekt i dhunës, abuzimit, neglizhimit ose potencialisht i tillë.

Lexoni të plotë në linkun:

—————————————————————————————————————————

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë u adoptua më 12 shtator 1998 përmes referendumit mbarëpopullor. Kjo kushtetutë përkufizon Shqipërinë si republikë parlamentare, shtet unitar e të pandashëm, si dhe me qeverisje të bazuar “në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përbëhet nga Preambula, ku paraqiten motivet e nxjerrjes së kushtetutës dhe aspiratat e kombit shqiptar për të ardhmen, si dhe tetëmbëdhjetë pjesë që mbulojnë parimet themelore, kartën e të drejtave, degët e qeverisë, institucionet e pavarura, forcat e armatosura, si dhe dispozitat kalimtare. Sipas kushtetutës, organi ligjvënës përbëhet nga një dhomë – Kuvendi – i cili zgjedh kreun e shtetit, Presidentin e Republikës, si dhe Këshillin e Ministrave e ngarkuar me pushtetin ekzekutiv.

Lexoni të plotë në linkun Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë

—————————————————————————————————————————

Kodi i Familjes

Kodi i Familjes është një dokument ligjor që rregullon marrëdheniet që lindin ndërmjet anëtarëve të një të familjeje. Ky Kod përcakton institucionin e martesës si një bashkëjetesë ligjore, e cila mbështetet në barazinë morale dhe juridike të bashkëshortëve, në ndjenjën e dashurisë, respektit dhe mirëkuptimit reciprok, si baza të unitetit në familje.

Gjithashtu në këtë kod përcaktohet njohja e amësisë dhe atësisë, detyrimi për ushqim, përgjegjësia prindërore, birësimi, kujdestaria.

Lexoni të plotë në linkun Kodin e Familjes

 —————————————————————————————————————————

Ligji për kundërvajtjet administrative

Ligji për kundravajtjet administrative përcakton rregullat për konstatimin dhe shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, përcakton procedurat dhe afatet e ankimit ndaj akteve të organeve të administratës publike që vendosin dënime administrative, si dhe procedurat e ekzekutimit të sanksioneve administrative. Ky ligj zbatohet për të gjitha vendimet e organeve të administratës publike, që parashikojnë dënime administrative e që krijojnë pasoja juridike në raste individuale. Procedurat e parashikuara në dispozitat e veçanta të këtij ligji, për vënien në ekzekutim të vendimeve për kundërvajtjen administrative, zbatohen rast pas rasti, në përputhje me natyrën e organeve të administratës publike që i kanë nxjerrë dhe me llojin e dënimit të parashikuar në akt.

Lexoni të plotë në linkun Ligjin për kundravajtjet administrative

 —————————————————————————————————————————

Ligji për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare

Ligji ka për qëllim parandalimin dhe reduktimin e dhunës në familje në të gjitha format e saj, me anë të masave të përshtatshme ligjore si dhe garantimin e mbrojtjes me masa ligjore të pjesëtarëve të familjes, të cilët janë viktima të dhunës në familje, duke i kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuar. Ky ligj ka si objekt krijimin e një rrjeti të koordinuar institucionesh përgjegjëse për mbrojtjen, mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave, lehtësimin e pasojave dhe parandalimin e dhunës në familje; orientimin e punës për krijimin e strukturave dhe organeve përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor për mbështetjen e viktimave dhe parandalimin e dhunës në familje; fuqizimin e gjyqësorit për marrjen e masave të mbrojtjes ndaj dhunës në familje; sigurimin për viktimat e dhunës në familje të shërbimit të shpejtë, të pakushtueshëm dhe të thjeshtë në përputhje me ligjin, pranë gjykatës apo organeve të tjera kompetente për zbatimin e ligjit.

Lexoni të plotë në linkun:

—————————————————————————————————————————

Ligji për mbrojtjen nga diskriminimi

Ky ligj rregullon zbatimin dhe respektimin e parimit të barazisë në lidhje me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzaninë, përkatësinë  prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, gjendjen shëndetësore, predispozicione gjenetike, aftësinë e kufizuar, përkatësinë në një grup të veçantë, ose me çdo shkak tjetër. Qëllimi i këtij ligji është të sigurojë të drejtën e çdo personi për: barazi përpara ligjit dhe mbrojtje të barabartë nga ligji; barazi të shanseve dhe mundësive për të ushtruar të drejtat, për të gëzuar liritë dhe për të marrë pjesë në jetën publike; mbrojtje efektive nga diskriminimi dhe nga çdo formë sjelljeje që nxit diskriminimin.

Lexoni të plotë në linkun Ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi

—————————————————————————————————————————

Ligji nr. 10 347, datë 4.11.2010 “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës”

Lexoni të plotë në linkun Ligjin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës (shfuqizuar me ligjin Nr.18/2017 “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve”)