skip to Main Content

Arsim Falas dhe Cilesor

Çdo fëmijë gëzon të drejtën e aksesit dhe të frekuentimit të arsimimit falas e cilësor, në bazë të mundësive të barabarta dhe pa diskriminim, në përputhje me moshën dhe aftësinë e tij për të kuptuar. Kjo e drejtë i garantohet fëmijës nga prindi si dhe nga autoritet përgjegjëse publike duke marrë masa të përshtatshme që fëmija të ndjekë arsimin . Sot, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Observatori për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve në bashkëpunim me Zyrat Vendore Arsimore zhvilluan takimin online me grupin e punës ndërministror të punës së fëmijëve jashtë shkollë për të diskutuar për identifikimin dhe regjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor. Institucionet përgjegjëse duhet të bashkëpunojnë dhe të koordinojnë veprimet mes tyre për të marra masa konkrete në identifikimin e fëmijëve që janë në rrezik braktisje apo e kanë braktisur shkollen me qëllim mundësimin e aksesit të të gjithë fëmijëve në shkollë. Duke vlerësuar regjistrimin dhe ndjekjen e shkollës nga fëmijët si një proces shumë të rëndësishëm Agjencia, ka kërkuar bashkëpunimin e Njësive të Mbrojtjes së Fëmijëve në të gjithë vendin të bashkëpunojnë në mënyrë multidisiplinare për regjistrim në shkollë të fëmijëve që janë në moshën e detyrimit shkollor. Është kërkuar një vëmendje e vecantë në identifikimin e fëmijëve në situatë rruge, fëmijëve te familjeve me probleme social ekonomike, fëmijëve me aftësi të ndryshe, fëmijë të pa regjistruar në gjëndje civile etj për regjistrim në shkollë me qëllim që asnje fëmijë të mos mbetet pa regjistruar. Gjithashtu Agjencia, ka vënë theksin dhe tek shëndeti mendor dhe mbështetja psiko social që duhet të ofrojnë shërbimi psikosocial dhe mësuesit ndihmes në shkollë.

Arsimimi i çdo fëmije është një mision i përditshëm, i cili për tu realizuar kërkon bashkëpunim dhe koordinim ndërinstitucional për të mundësuar ndjekjen e shkollës nga çdo fëmijë .